Çfarë bëri projekti
Ky projekt synon të kontribuojë në zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm socio-ekonomik në Kosovë, duke rritur pjesëmarrjen e vajzave në arsimin dhe aftësimin profesional (AAP) si një rrugë e qëndrueshme drejt arsimit dhe punësimit.
Projekti synon të sfidojë stereotipat gjinorë dhe normat sociale, të forcojë sistemet e orientimit në karrierë të ndjeshme ndaj perspektivës gjinore dhe të përmirësojë lidhjet ndërmjet arsimit dhe tregut të punës. Përmes aktiviteteve të ndërgjegjësimit, ngritjes së kapaciteteve të stafit të shkollave dhe institucioneve të AAP-së, mentorimit nga bashkëmoshataret dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të AAP-së dhe sektorit privat, projekti mbështet vajzat dhe familjet e tyre në marrjen e vendimeve të informuara për arsimimin dhe karrierën.
Objektivat specifike
- Të rrisë ndërgjegjësimin e nxënësve të arsimit të mesëm të ulët, veçanërisht vajzave, prindërve dhe komuniteteve lokale, për mundësitë që ofron arsimi dhe aftësimi profesional dhe perspektivat e tregut të punës, duke reduktuar stereotipat gjinorë lidhur me profilet tradicionalisht të konsideruara si profesione për burra.
- Të forcojë kapacitetet e këshilltarëve për orientim në karrierë, mësimdhënësve dhe stafit të institucioneve të AAP-së për të ofruar orientim dhe këshillim profesional të ndjeshëm ndaj perspektivës gjinore dhe jo-stereotipik.
- Të promovojë modele pozitive të grave dhe frymëzim përmes bashkëmoshatareve, duke angazhuar gra të suksesshme të diplomuara nga AAP-ja si modele për aktivitete informuese, mentorim dhe ndërgjegjësim.
- Të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të AAP-së dhe sektorit privat, me qëllim mbështetjen e pjesëmarrjes së balancuar gjinore në arsimin profesional dhe krijimin e mundësive për punësim.
Përfituesit
Përfituesit kryesorë të projektit janë nxënësit, veçanërisht vajzat e arsimit të mesëm të ulët, dhe prindërit e tyre, të cilët mbështeten për të marrë vendime më të informuara dhe të orientuara drejt së ardhmes për arsimimin dhe karrierën.
Përfitues të projektit janë gjithashtu mësimdhënësit, këshilltarët për orientim në karrierë, drejtuesit e shkollave dhe institucionet e AAP-së, të cilët përfitojnë nga forcimi i kapaciteteve për ofrimin e orientimit profesional gjithëpërfshirës dhe të ndjeshëm ndaj perspektivës gjinore.
Një grup tjetër përfituesish janë gratë e diplomuara nga AAP-ja, të cilat përfitojnë nga zhvillimi i aftësive të mentorimit dhe rritja e vizibilitetit të tyre si modele për brezat e rinj.
Përfitues indirektë janë MASH-i, komunat dhe sektori privat, përmes forcimit të bashkëpunimit, përmirësimit të praktikave të orientimit në karrierë dhe përafrimit më të mirë të arsimit profesional me nevojat e tregut të punës.
Komunat e përfshira
Projekti zbatohet në pesë komuna: Kaçanik, Drenas, Therandë, Viti dhe Obiliq, me fokus të veçantë në rritjen e qasjes në orientim në karrierë dhe mundësi për zhvillimin e aftësive në zonat rurale dhe komunitetet që kanë më pak qasje në këto mundësi.
Në kuadër të projektit parashihen aktivitete për informimin dhe ndërgjegjësimin e nxënësve dhe prindërve, mentorimin e vajzave, promovimin e modeleve të grave, trajnimin e këshilltarëve të karrierës dhe mësimdhënësve, vizita në biznese, ditë të hapura në shkollat profesionale, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të AAP-së dhe sektorit privat.
«Her Path, Her Skills» është realizuar me mbështetjen e projektit «Shkathtësitë për punësim të qëndrueshëm në Kosovë», financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Komunat e përfshira
Videot e projektit
Arsimi profesional — spot me titra
Ditë të hapura në shkollat profesionale
Animacion: statistikat e Odës Ekonomike dhe të ASK-së
Lidhja e arsimit profesional me tregun e punës
Animacion: profilet e arsimit profesional
