KW4W

VESHËMBATHJA

VESHËMBATHJA

Veshëmbathja është faktor i cili ndikon imazhin tuaj në mënyra të jashtme dhe të brendshme. Balansimi i këtyre dy anëve është esencial për të pasur sukses në një intervistë pune.

Me anën e jashtme ne nënkuptojmë ndikimin që veshëmbathja juaj ka tek intervistuesit në mënyrë direkte. Veshëmbathja e duhur për një intervistë kryesisht varet nga faktorët si pozita dhe kompania në të cilën keni aplikuar, por ajo mund të varet edhe nga faktorë tjerë si stina dhe kushtet atmosferike, ora në të cilën mbahet intervista, si dhe preferencat tuaja unike.

Nëse keni aplikuar në ndonjë kompani serioze në fushat si drejtësia, kontabiliteti, punët qeveritare etj., atëherë preferohet që ju të vishni garderobë më profesionale dhe serioze. Hierarkia e pozitës në të cilën keni aplikuar gjithashtu e përcakton nivelin e profesionalizmit të veshëmbathjes suaj. Veshëmbathja juaj në intervistë duhet të korrespondojë me veshëmbathjen që do ta praktikonit në qoftë se ju do të pranoheshit në atë pozitë. Veshëmbathja serioze nuk është gjithmonë e duhur. Nëse ju keni aplikuar për pozitën e mësuesit të notit, ju mund të visheni në mënyrë shumë të thjeshtë dhe joformale. Nëse nuk e keni të qartë se çfarë veshëmbathje përshtatet me pozitën apo kompaninë në të cilën keni aplikuar, kërkoni ide në internet dhe këshillohuni me personat të cilët kanë punë të ngjajshme.

Përpos anës së jashtme dhe direkte që veshëmbathja juaj influencon, ekziston edhe faktori i brendshëm i cili është po aq i rëndësishëm. Veshëmbathja juaj ka ndikim të madh në mendjen tuaj dhe në nivelin e komformitetit përgjatë intervistës. Niveli i komformitetit që ju keni me veshjen tuaj ndikon në vetëbesimin tuaj. Vetëbesimi juaj ndikon në performancën tuaj në intervistë. Prandaj është shumë e rëndësishme që ju të ndiheni komfor në veshëmbathjen tuaj. Komformiteti që ju ndieni në veshjen tuaj ka më shumë rëndësi se veshja specifike të cilën ju keni zgjedhur. Ne besojmë se intervistuesit do të ishin më të kënaqur me ju në qoftë se ju do të vishnit diçka të thjeshtë në të cilën do të ndiheshit komfor dhe spontan, se sa po të vishnit rroba formale në të cilat do të ndiheshit në siklet dhe të tendosur. Nëse ju keni vetëbesim dhe ndiheni komfor me veshjen tuaj, zgjedhja juaj e veshjes nuk do të ketë shumë rëndësi, për shkak se ju do të emetoni energji dhe pozitivitet, dhe karakteri juaj do të jetë ai i cili do të terheqë vëmendjen e intervistuesve, jo rrobat.

Në fund, ne duhet të cekim se rrobat ekstravagante apo seksualisht provokuese nuk preferohen në një intervistë pune. Ju merrni pjesë në intervistë për të dëshmuar cilësitë tuaja të karakterit dhe aftësitë profesionale, por jo bukurinë apo aftësitë riprodhuese. Mbani në mend këtë.