KW4W

BERNA SARAÇI – STORIE SUKSESI

2 Korrik, 2020: Berna Saraçi ka lindur më 16 maj 1993 në Prishtinë, Kosovë. E rritur në një familje ku krijimi i rrobave është një traditë, ajo vendosi të studiojë dizajnin e modës në shkollën Design Factory, e cila ishte shkolla më e mirë e modës në atë kohë. Gjatë studimeve, ajo prezantoi punën e saj me sukses në disa ekspozita dhe sfilata, ndërsa gjithashtu punoi si dizajnere e kostumit për festivalet “Prishtinë – Mon Amour” dhe “Skena UP”, të organizuara në Prishtinë.
Në vjeshtën e vitit 2014, Saraçi mori pjesë në ekspozitën ndërkombëtare të dizajnit të produkteve dhe modeleve, Month of Design Ljubljana – Slloveni, duke prezantuar punën e saj dhe Kosovën, në mesin e vendeve tjera të Evropës Juglindore. Në prill të vitit 2015, ajo mori pjesë në Prishtina Fashion Night, një ngjarje e organizuar në kryeqytetin e Kosovës, duke prezantuar 10 veshje në sfilatë. Në mars të vitit 2018, Berna shfaqi koleksionin e saj në Fashion Weekend Skopje – Maqedoni, ku u duartrokit shumë dhe u vlerësua lartë.
Ajo vazhdon të punoj për brendin e saj BERNASARACI, një brend që po bëhet i njohur gjerësisht për elegancën e tij por edhe për guximin dhe modernitetin e tij. Saraci është gati të bëhet një nga yjet në rritje të modës në Kosovë, duke shërbyer dizajne origjinale, ide kreative dhe pamje të reja çdo herë.
Berna është përfituese e grantit Start-Up përmes projektit “Mundësitë e grave në treg, ekonomi dhe rrjetëzim” WOMEN i cili implementohet nga Kosova – Women 4 Women, ndërsa financohet nga Qeveria Gjermane përmes GIZ Kosovo.