KW4W

PËRPILIMI I LETRËS MOTIVUESE

PËRPILIMI I LETRËS MOTIVUESE

Në letrën motivuese ju keni mundësinë të komunikoni direkt me punëdhënësin. Aty ju tregoni se pse mendoni që ju jeni personi i duhur për pozitën e shpallur nga kompania. Letra motivuese e mirë mund të ketë rol vital në punësimin tuaj.

Letra motivuese është reflektim i shpejtë e karakterit të individit, edukimit real të tij, njohurive të tij mbi pozitën e punës dhe kompaninë, si dhe e anës bindëse së tij. Individi me pak fjalë duhet të tentojë ta bindë punëdhënësit për kualitetet e tij dhe të tregojë se ai është kandidati i duhur për pozitën e shpallur nga kompania.

Letra motivuese duhet të jetë e shkurtë, e qartë, e sinqertë, dhe bindëse. Ajo duhet të jetë e shkruar në mënyrë apostafate për kompaninë në të cilën aplikohet. Letrat motivuese të cilat janë të përpiluara për të u përdorur për shumë aplikime kanë vlerë të vogël dhe nga punëdhënësit shikohen si tendenca të dobëta të individëve të papërkushtuar për të gjetur punë.

Në letrën motivuese ju duhet të tregoni se ju keni hulumtuar kompaninë dhe jeni të njoftuar me punën dhe vlerat e saj. Ju duhet të tregoni se juve ju pëlqen ajo kompani dhe mendoni se aftësitë tuaja do të përshtateshin shumë mirë me kërkesat e saj. Ju duhet që shkurtimisht të tregoni për veten, kualitetet dhe anët e forta tuajat. Ju duhet të tregoni se pse jeni më të mirë se aplikantët tjerë për të fituar atë pozitë.

Të gjitha këto gjëra ju duhet të i komunikoni sinqerisht dhe me ton të matur. Ju nuk duhet të bëni presion mbi kompaninë për të ju punësuar. Pra ju nuk duhet të tentoni që të i bindni ata me çdo kusht se ju jeni personi i duhur. Juve ju takon që veten tuaj ta prezentoni më së miri, por ju nuk duhet të tentoni të ndërhyni në punën e kompanisë për të zgjedhur kandidatin më të mirë.

Stili i shkrimit ndryshon nga personi në person, mirëpo individët që shkruajnë në mënyrë të thjeshtë për veten kanë përparësi ndaj atyre që shkruajnë me krekosje. Njerëzit që tentojnë të përdorin teknika emocionale për ta ngritur veten nuk lënë përshtypje të mira te punëdhënësi. Ju duhet të i lini anash përshkrimet mburracake për veten dhe të fokusoheni në punën dhe të arriturat tuaja që mund të vërtetohen. Kjo vlenë edhe kur ju flisni për kompaninë në të cilën dëshironi të punësoheni. Ju duhet të tregoni se vlerësoni punën e saj, por pa përdorur teknika emocionale të lavdërimit dhe ledhatimit.

Është e thjeshtë – një letër ku ju sinqerisht tregoni se zgjedhja e juaj si punëtor do të sjellë përfitime reciproke te ju dhe kompania do të luajë një rol shumë më të madh se sa një letër ku ju mundoheni dëshpërimisht të tregoni se sa jeni të vlefshëm dhe se sa bota iu ka borxh.