Kosovo Women for Women Fros group, web faqe, web dizajn


PËRPILIMI I C.V.-SË

Shkronjat “C.V.” janë inicialet e termit latin curriculum vitae, që në shqip do të thotë “shtegu i jetës sime”. Ky term përdoret për dokumentin ku vendosen të dhënat tona profesionale. Fjala “rezyme” shpesh përdoret si sinonim i këtij termi, mirëpo disa burime argumentojnë se rezymeja është formë e shkurtuar e C.V.-së.

C.V.-ja përmbanë të dhënat profesionale të një individi, si edukimin, përvojën e punës, dhe aftësitë profesionale; ajo gjithashtu përmbanë edhe të dhënat personale bazike, si emrin dhe mbiemrin, datën e lindjes dhe informatat për kontaktim. C.V.-ja është forma më e shpeshtë që përdoret për aplikim në ndonjë vend pune. Nëpërmjet saj, punëdhënësit kanë qasje të shpejtë mbi të kaluarën tuaj profesionale, aftësitë tuaja dhe gjërat tjera në të cilat ata janë të interesuar.

Sa më kualitative të jetë C.V.-ja juaj, aq më të mëdha janë gjasat që ju të tërhiqni vëmendjen e punëdhënësve. Kualiteti i C.V.-së varet nga faktorët si përmbajtja, estetika, drejtshkrimi dhe koherenca. Ekzistojnë forma të ndryshme të C.V.-ve, dhe kompanitë e ndryshme mund të kenë kërkesa specifike për C.V.-në tuaj. Në këtë shkrim ne do të flasim për faktorët e përgjithshëm që një C.V. duhet të posedojë.

C.V.-ja përbëhet nga disa pjesë. Në fillim të saj vendoset emri dhe mbiemri juaj, i cili mund të përcjellet nga një nëntitull, si p.sh. profesioni juaj apo titulli. Pas pjesës së emrit mund të vendosen të dhënat personale si data e lindjes, numri i telefonit, e-maili dhe adresa. Pastaj vjen pjesa më e reëndësishme e CV-së, ku vendosen të dhënat profesionale, si përvoja e punës dhe edukimi. Në këtë pjesë duhet të shënohen me përpikmëri të gjitha punët relevante të cilat ju keni punuar nga fillimi i karrierës suaj deri më sot. Punët relevante janë punët të cilat i përkasin fushës së njëjtë me fushën në të cilën ju jeni duke aplikuar. P.sh. nëse ju jeni duke aplikuar në një vend pune që ka të bëjë me mjekësi, preferohet që ju të listoni në C.V.-në tuaj punët e kaluara në mjekësi, por jo në profesionet tjera. Punët që ju keni bërë në profesionet tjera nuk iu interesojnë shumë punëdhënësve tuaj të ardhshëm.

Në C.V., ju duhet të listoni këto punë duke shënuar emrin e pozitës tuaj, emrin e kompanisë në të cilën e keni pasur atë pozitë, kohën kur e keni pasur atë pozitë si dhe shënime tjera relevante mbi pozitën, si detyrat që keni pasur dhe arritjet tuaja. Vendet e punës duhet të shënohen kronologjikisht, duke ia filluar nga fillimi i karrierës suaj deri në ditën e sotme.

Pasi të përfundohet pjesa e eksperiencës, ju duhet të shënoni edukimin tuaj profesional. Së pari shënohet shkollimi që ju posedoni, si shkolla fillore, e mesme apo universiteti. Sikurse në pjesën e eksperiencës, ju duhet të shënoni shkallën e shkollimit, emrin e institucionit në të cilin jeni shkolluar si dhe kohën në të cilën ju keni studiuar. Nëse ju keni disa nivele të shkollimit, atëherë ato duhet të i shënoni kronologjikisht. Pas shkollimit profesional, ju duhet të shënoni kurset dhe trajnimet tjera që posedoni, gjithmonë duke cekur përsëri emrin e kursit, emrin e institucionit që iu ka mundësuar kursin si dhe kohën kur e keni mbajtur atë kurs.

Pas edukimit, ju duhet të shënoni aftësitë tuaja, duke përfshirë gjuhët të cilat i flisni. Edhe aftësitë që shënoni preferohet të jenë relevante ndaj pozitës në të cilën dëshironi të aplikoni. Nëse ju jeni duke aplikuar në ndonjë fushë që ka të bëjë me teknologjinë informative, atëherë aftësitë tuaja të cilat i shënoni në C.V. duhet të jenë më të detajizuara në këtë fushë, si p.sh. programet apo gjuhët programuese të cilat i zotëroni.

Pas aftësive, ju mund të shënoni çertifikatat dhe çmimet që keni pranuar gjatë karrierës suaj. Ju duhet të cekni emrin e çertifikatës, intitucionin i cili ju ka dhuruar atë, si dhe vitin e pranimit të saj nga ju. Në varësi të stilit tuaj dhe kërkesave të kompanisë, ju mund të shënoni edhe gjëra të tjera relevante në C.V.-në tuaj, si interesimet, anët tuaja të forta dhe gjëra tjera që mendoni se mund të ju interesojnë punëdhënësve tuaj të ardhshëm.

Nëse ju dëshironi të aplikoni në disa pozita të ndryshme pune në të njëjtën kohë, ju duhet të keni C.V. të veçanta që do të përdorni për secilën pozitë ku aplikoni. Kjo ka të bëjë me relevancën për të cilën kemi folur më lartë. Do të ishte e çuditshme nëse ju do ta dorëzonit C.V.-në tuaj me informata të detajizuara mbi teknologjinë informartive në një kompani farmaceutike.

Informatat në C.V.-në tuaj duhet të jenë koherente. Ju nuk duhet ta kontradiktoni veten brenda C.V.-së tuaj, dhe gjërat që shkruani duhet të kenë lidhje logjike në mes vete.

Estetika është e rëndësishme në një C.V. C.V.-ja juaj duhet të duket pastër, bukur dhe pa teprime. Ana teknike e C.V.-së suaj duhet të i përmbahet një standardi të vetëm të formatimit. Nëse C.V.-në tuaj e shkruani në kompjuter, ajo duhet të përmbajë një font (stil) të vetëm të shkronjave, kategoritë e njëjta të fjalëve duhet të kenë madhësi të njëjta të shkronjave, si dhe çdo informatë serike duhet të shënohet ngjajshëm me informatat tjera në atë seri. Për të pasur idenë se si duket një C.V. e mirë, webfaqja LinkedIn ka shumë shembuj.

Për shkak se drejtshkrimi është një faktor tepër i rëndësishëm në C.V. dhe kudo tjetër, ne do të flasim për të në veçanti në shkrimet e mëtutjeshme.


Arbëria III, p.n. Prishtinë 10000

+377 (0)45 266 267, +386 (0)49 555 451

info@k-w4w.org