KW4W

PËRGATITJA PSIKOLOGJIKE

PËRGATITJA PSIKOLOGJIKE

Të gjitha përgatitjet për intervistë mund të ju shkojnë poshtë nëse ju nuk keni bërë përgatitjen psikologjike të duhur. Nëse ju nuk ndiheni të sigurtë me veten dhe me atë që dini, ju mund të keni paraqitje të dobët në intervistë.

Është interesante të ceket se njerëzit me vetëbesim më të lartë në përgjithësi kalojnë më mirë në intervistë se të tjerët, edhe nëse ata kanë më pak njohuri konkrete për vendin e punës dhe kompaninë në të cilën kanë aplikuar. Kjo ndodhë për shkak se ata rrezatojnë tipare pozitive tek intervistuesit dhe punëdhënësit. Sidoqoftë, intervistuesit e mirë dinë të dallojnë dikë që përdor vetëbesimin për të fshehur jokompetencën apo njohuritë e ulëta rreth punës në të cilën ka aplikuar.

Prandaj, çelësi për intervistë të suksesshme është kombinimi i njohurive me vetëbesimin.

Nëse ju nuk i besoni vetes, as njerëzit tjerë nuk shohin arsyje të ju besojnë. Në qoftë se ju deklaroni diçka dhe ndiheni të pasigurtë në atë që thoni, ju do të ngjallni dyshime te pala tjetër. Punëdhënësit nuk ndihen komfor të i japin punë me përgjegjësi dikuj që nuk i beson vetes, apo që jep atë përshtypje te të tjerët.

Ka persona që, edhe pse i besojnë vetes, tentojnë të japin përshtypje “modeste” dhe bëjnë çmos që të mos paraqiten “arrogantë” te pala tjetër. Ky mentalitet mund të jetë i dëmshëm për arsyje se njerëzit e tillë fillojnë të kenë probleme me kufij personal dhe bëhen vulnerabil për të u trajtuar në mënyra të padrejta nga njerëzit tjerë. Ata nuk e dinë dallimin në mes asertivitetit dhe arrogancës. Asertivitet do të thotë mos-hezitimi i mbrojtjes së kufijve personalë pa shkelur kufijtë e palës tjetër. P.sh. nëse dikush iu merr lapsin dhe pas përdorimit nuk iu kthen atë, ju keni plotësisht të drejtë të kërkoni lapsin tuaj, por pa ofenduar palën tjetër. Njerëzit joasertivë në këtë rast do të reagonin ose në mënyrë pasive (nuk do të kërkonin që të ju kthehej lapsi) ose në mënyrë agresive (do të kërkonin lapsin e tyre në mënyrë të ashpër dhe të pakontrolluar). Pasiviteti dhe agresiviteti, edhe pse gjenden në polet e kundërta të kontinumit të personalitetit, të dyjat reflektojnë pasigurinë dhe vetëbesimin e ulët.

Ju duhet të përgatiteni që në intervistë të keni qëndrim asertiv. Asertiviteti është qëndrimi më i mirë i mundshëm që ju mund të keni në një intervistë pune. Kur ju jeni asertiv, ju dërgoni sinjale te intervistuesit se ju e respektoni punën e tyre, por gjithashtu prisni që ky respekt të ju kthehet. Nëse ju silleni në mënyrë pasive, ju dërgoni sinjale të varshmërisë dhe të pasigurisë tek intervistuesit tuaj. Sjellja agresive është totalisht e papranueshme, sepse ajo ju garanton dështimin për të u pranuar në një kompani.

Njiheni veten, besoni në atë që dini dhe sipas të gjitha gjasave intervista do të realizohet me sukses.