KW4W

NJOHJA E VETES DHE AFTËSIVE PERSONALE

NJOHJA E VETES DHE AFTËSIVE PERSONALE

Njohja e vetes dhe aftësive personale ka shumë rëndësi në procesin e gjetjes së punës. Njohja e vetes nuk është gjë e lehtë siç mund të duket në sipërfaqe. Shumë njerëz nuk e njohin mirë veten dhe aftësitë e tyre. Ka shumë individë të cilët i shohin vetëm aspektet pozitive të tyre, pa i parë, ose duke i injoruar aspektet negative. Kjo gjë ndodhë shumë shpesh, madje mund të argumentojmë se secili nga ne përfshihet nga kjo mënyrë e të menduarit në momente të ndryshme të jetës sonë.

Tendencat e mbivlerësimit apo nënvlerësimit të vetes mund të shkaktojnë probleme gjatë gjetjes së punës apo edhe pas gjetjes së saj. Nëse ne besojmë se jemi shumë më të aftë në ndonjë shkathtësi se sa që jemi realisht, ne mund të frustrohemi kur në punë na jepet raporti për performancë të dobët. Kjo mund të na shtyjë të fajësojmë punëdhënësin, kur në realitet problemi qëndron te ne. Në anën tjetër, nënvlerësimi i vetes mund të na shtyjë të mendojmë se ne nuk jemi të aftë për ndonjë punë, edhe në qoftë se në realitet ne do të mund ta kryenim atë punë me sukses. Ky mentalitet mund të na pengojë seriozisht në procesin e gjetjes së punës.

Sa më shumë që njihni veten, aq më shumë do të keni mundësi të gjeni punën e përshtatshme për ju. Nëse juve ju pëlqen komunikimi dhe e gjeni veten shpesh duke folur me njerëz, atëherë do ta dini që juve ju përshtatet një punë në të cilën komunikimi është esencial. Nëse ju pëlqen të i bindni njerëzit, juve mund të ju përshtatet një punë në shitje.

Sikurse për gjetje të punës, njohja e vetes paraprakisht mund të ju ndihmojë edhe në zgjedhjen e edukimit të duhur. Besohet se shumë prirje (talente) te njerëzit janë gjenetike. Kjo do të thotë se jo të gjithë janë të mirë në mënyrë të barabartë me kalkulimin e numrave, apo në këndimin e një kënge. Nëse individi i njeh talentet e tij dhe fokusohet në fisnikërimin e tyre, gjasat e tij për sukses do të jenë shumë më të mëdha.

Nëse e njihni veten mirë, ju do ta keni shumë më lehtë të ambientoheni dhe të shoqëroheni me kolegët e punës. Nëse i njihni anët tuaja pozitive dhe negative dhe nëse i pranoni ato, ju do ta keni shumë më lehtë të i pranoni edhe të tjerët ashtu si janë. Kjo do të rrisë harmoninë në vendin tuaj të punës, do të ulë nivelet tuaja të stresit do të ngrisë nivelin e lumturisë në punë dhe jashtë saj.