KW4W

KARAKTERISTIKAT E PUNËTORËVE TË SUKSESSHËM

KARAKTERISTIKAT E PUNËTORËVE TË SUKSESSHËM

Ekzistojnë disa karakteristika të cilat i bëjnë punëtorët të suksesshëm dhe të veçantë. Këto karakteristika janë njohja e mirë e profesionit të ushtruar, posedimi i teknikave efektive të punës, saktësia, sinqeriteti, integriteti personal dhe besnikëria.

Njohja e mirë e profesionit të ushtruar apo të fushës në të cilën punohet është esenciale për çdo punëtor që dëshiron të arrijë sukses në jetën profesionale. Edhe nëse ju jeni të shkolluar për fushën në të cilën punoni, ju duhet që çdo ditë të njoftoheni me teoritë dhe gjetjet e reja në të. Kjo do të ju mundësojë që ju të vazhdoni të jeni kompetent në profesionin tuaj dhe të keni më të lehtë zgjidhjen e problemeve në punë.

Më herët kemi folur për nevojën e njohjes së teknikave efektive të punës. Teknikat efektive bëjnë që ju të përfundoni një punë me sukses brenda një kohe më të shkurtë dhe me më pak mund. Teknikat e mira të punës zhvillohen përgjatë përvojës, por informimi i vazhdueshëm në internet apo përmes librave mund të fisnikërojë ato jashtëzakonisht shumë.

Saktësia është virtyt që iu pëlqen të gjithëve. Qoftë në respektimin e orarit, qoftë në ekzekutimin e ndonjë operacioni, saktësia gjithmonë bën që puna e juaj të shkëlqejë.

Për sinqeritetin kemi folur gjatë procesit të intervistës dhe kemi thënë që ai është një ndër metodat më të suksesshme për të përdorur në intervistë. Kjo vlenë edhe për ambientin e punës. Njerëzit e sinqertë – përkundër mendimit cinik se ata e kanë jetën më të vështirë – aktualisht e kanë jetën më të thjeshtë dhe me më pak probleme. Kjo ndodhë për shkak se ata nuk kanë nevojë të shpikin skenare imagjinare dhe të iu përmbahen atyre. Nëse ata bëjnë një gabim, ata marrin përgjegjësi për të dhe tregojnë të vërtetën. Kjo i shtyn ata që në të ardhmen të mundohen më shumë për të mos bërë gabime. Në të njëjtën kohë, ata fitojnë besimin e punëdhënësve të tyre për shkak se fjalët e tyre gjithmonë korrespondojnë me realitetin.

Sikurse sinqeriteti, integriteti personal ndihmon shumë në jetën profesionale. Ju duhet të njihni veten dhe qëndrimet tuaja dhe të respektoni ato në çdo moment, edhe gjatë momenteve të vështira. Integriteti i jep peshë karakterit tuaj dhe shton respektin e të tjerëve për ju. Në qoftë se ju flisni të vërtetën edhe kur ajo rrezikon humbjen tuaj të punës, ju ironikisht fitoni respekt nga punëdhënësit tuaj në planin afatgjatë. Ju fitoni respekt edhe në marrëdhëniet sociale me kolegët tuaj. Njerëzit të cilët gjithmonë përshtasin qëndrimet e tyre me qëndrimet e grupit nuk respektohen; përkundrazi, ata merren si persona pa karakter dhe shumicën e kohës ekzistenca e tyre nuk vërehet nga grupi. Integriteti personal kushton më shtrenjtë por benefitet e tij janë të mëdha.

Besnikëria ndaj kompanisë dhe ndaj kolegëve tuaj është kualitet që ju duhet ta posedoni. Nëse ju jeni besnik, juve do të iu besohen përgjegjësi që të tjerëve nuk iu besohen. Të gjithë mund të llogarisin në ju për shkak të dijes se ju nuk i lini në baltë. Punëtorët besnikë kanë tendenca që të ngriten më së shumti në kompani.

Nëse ju përvetësoni të gjitha cilësitë për të cilat folëm më lartë, do të jetë e vështirë për ju të mos arrini sukses në punën tuaj.