KW4W

INTERVISTA

INTERVISTA

Nëse ju keni bërë përgatitjet e rekomanduara në shkrimet e kaluara, ju tashmë keni shumicën e përbërësve esencialë të cilët iu mundësojnë një performancë të suksesshme në intervistë.

Arritja në kohë për intervistë është gjë shumë e çmueshme. Ne nuk jemi duke folur këtu vetëm për vonesë. Arritja në kohë nënkupton arritjen tuaj në vendin e intervistimit në kohën e duhur, as më herët e as më vonë. Arritja juaj e parakohshme në kompani mund të i sjellë probleme kompanive që nuk kanë shumë hapësirë për akomodim. Prandaj ne ju rekomandojmë që të gjendeni në vendin e intervistimit vetëm 5 apo 10 minuta para fillimit të intervistës. Ju mund të niseni më herët nga shtëpia në qoftë se i frikoheni trafikut të ngarkuar, por ju nuk duheni të hyni në zyret e kompanisë përkatëse para kohës së specifikuar më lartë. Vonesa në intervistë, në anën tjetër, mund të ju shkaktojë probleme serioze në gjetje të punës.

Ju duhet të keni qëndrim pozitiv dhe asertiv gjatë hyrjes në kompani dhe gjatë intervistës. Pozitiviteti lehtëson komunikimin dhe iu ndihmon në grumbullimin e më shumë pikëve gjatë intervistës. Shumica e njerëzve pëlqejnë personat pozitivë, prandaj ju duhet që me çdo kusht ta merrni pozitivitetin tuaj me vete në intervistë.

Zakonisht, pas njoftimit me ju, intervistuesit fillojnë të ju bëjnë pyetje të ndryshme që lidhen me karrierën dhe personalitetin tuaj. Pyetjet mund të jenë të çfarëdoshme, prandaj ju duhet të jeni në gatishmëri për të u përgjigjur. Zakonisht, pyetjet e tyre kanë të bëjnë me përvojat tuaja të kaluara në kompanitë tjera. Intervistuesve iu interesojnë përvojat tuaja të kaluara për të ditur se çka mund të presin në të ardhmen nga ju. Nëse e kaluara juaj karakterizohet nga performanca e dobët, përleshjet e shumta si dhe sjelljet tjera negative, intervistuesit nuk do të jenë të interesuar që të ju marrin në kompaninë e tyre. Por mos harroni se çdo njeri ka pasur konflikte në përvojat e tij dhe kjo gjë është normale. Në qoftë se ju deklaroni gjatë intervistës se ju nuk keni pasur asnjëherë konflikte, kjo gjë mund të duket jo e natyrshme dhe intervistuesit mund të fitojnë përshtypjen se ju jeni person pasiv i cili nuk lufton për të drejtat e veta. Prandaj ju duhet të mbani një qëndrim të balansuar në intervistë dhe të flisni sinqerisht për përvojat tuaja, por gjithmonë duke tentuar që ato përvoja të i paraqisni në mënyrë konstruktive. Nëse ju mendoni që konfliktet në të cilat keni marrë pjesë kanë qenë të arsyeshme dhe të nevojshme, ju duhet të i informoni intervistuesit për këtë. Ata do të çmojnë kurajon tuaj për të folur për përvoja të tilla. Sidoqoftë, fokusi juaj duhet të jetë në përvojat pozitive.

Ne ju rekomandojmë që ju të jeni të sinqertë në përgjigjjet tuaja, edhe në qoftë se nuk ndiheni shumë komfor me to. Në planin afatgjatë, sinqeriteti ka benefite shumë më të mëdha se josinqeriteti. Në qoftë se gjatë intervistës ju deklaroni bindjet tuaja themelore, ju nuk do të keni nevojë të i fshihni ato gjatë gjithë punës suaj të mëtutjeshme në atë kompani. Drejtuesit e kompanisë gjithashtu do të jenë të vetëdijshëm për karakteristikat tuaja dhe do ta kenë më të lehtë krijimin e marrëdhënie pozitive me ju. Në qoftë se atyre iu pengojnë bindjet e juaja themelore, ju nuk keni çka të kërkoni në atë kompani. Prandaj, si do që të shikohet, nga sinqeriteti dhe transparenca fitojnë të gjitha palët. Mos harroni se ju nuk shkoni në intervistë për të fituar me çdo kusht. Intervista është mjet i mirë për të parë se a përshtateni ju me kompaninë në të cilën keni aplikuar. Ajo është tregues i mirë i përshtatjes suaj, prandaj, nëse intervista nuk shkon mirë, kjo do të thotë që edhe nëse do të punësoheshit, ju do të kishit pasur probleme gjatë gjithë karrierës suaj në atë kompani.

Ju duhet të jeni të vetëdijshëm se intervistuesit, sikurse ju, janë persona të zakonshëm, të cilët kanë anët e tyre pozitive dhe negative. Ata gjithashtu janë qenie emocionale dhe mund të kalojnë në tensione të ndryshme përgjatë intervistës, sikurse ju. Prandaj, gjatë intervistës, ju nuk duheni të i merrni gjërat në mënyrë personale. Mund të ndodhë që intervistuesi të ju bëjë një pyetje e cila nga ju mund të përceptohet si ofendim. Mos lejoni që pyetjet e tilla të ju destabilizojnë. Ju gjithmonë e keni të drejtën për të mos u përgjigjur, apo për të u përgjigjur me sinqeritet. Nëse ju nuk dëshironi të përgjigjeni, informoni intervistuesit për këtë me ton të qetë dhe pozitiv. Ata do të vazhdojnë të bëjnë pyetjet tjera. Në qoftë se ju frikoheni se përgjigjja juaj do të ndikojë negativisht tek intervistuesit, informoni ata përsëri. E përsërisim se transparenca dhe sinqeriteti janë mjetet më të mira që mund të i keni në dispozicion gjatë një interviste. Prandaj mos hezitoni të jeni të sinqertë.

Mbani qëndrim natyral dhe mos tentoni të flisni më shpejtë apo më ngadalë gjatë intervistës. Dëgjoni pyetjet që ju bëhen me kujdes dhe mendoni se çfarë dëshironi të thoni para se të përgjigjeni. Në çoftë se nuk e kuptoni pyetjen, në asnjë mënyrë mos hezitoni të kërkoni sqarim të mëtutjeshëm. Mos nxitoni në përgjigjjet tuaja, por mos dilni nga tema. Përgjigjuni në atë që ju kërkohet dhe jo më shumë. Në qoftë se mendoni se përgjigjja juaj kërkon më shumë kohë për të u formuluar, mos hezitoni ta bëni këtë. Jeni në gjendje që të bëni gjithçka për të siguruar komunikim efektiv me intervistuesit.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e intervistuesve, ju mund të i bëni pyetjet tuaja në lidhje me gjërat që ju interesojnë mbi kompaninë. Por ato nuk duhet të jenë të tepruara në formë apo në kuantitet. Nëse pyetjet tuaja janë interesante dhe të sinqerta, kjo mund të ndikojë pozitivisht në intervistën tuaj.

Pas mbarimit të intervistës, intervistuesit do të ju njoftojnë lidhur me detajet dhe instruksionet tjera. Dëgjoni ato me kujdes dhe merrni shënime nëse e shihni të nevojshme. Përshëndetni intervistuesit ngrohtë dhe dilni nga objekti.