KW4W

ANGAZHIMI NË GJETJE TË PUNËS

ANGAZHIMI NË GJETJE TË PUNËS

Angazhimi, sikurse vendosshmëria për të punuar, është faktor shumë i rëndësishëm në gjetjen e punës. Kjo mund të tingëllojë si gjë evidente, mirëpo ka shumë njerëz që sot janë të papunë shkaku i angazhimit të tyre të dobët.

Angazhimin për të gjetur punë mund ta konsiderojmë si punë në vete, për shkak se procesi i saj është i ngjajshëm me procesin e një pune të rregullt. Personi që dëshiron të gjejë punë duhet që të sakrifikojë kohë dhe energji në këtë drejtim.

Ne kemi vërejtur që ka shumë njerëz të cilët pretendojnë se janë duke kërkuar punë, mirëpo në realitet atë bëjnë shumë pak në këtë drejtim. Ne njohim njerëz të cilët, edhe pse të papunësuar, merren me aktivitete të cilat kanë të bëjnë shumë pak apo asgjë me kërkim pune. Ata kalojnë kohën përballë televizorit, kompjuterit (rrjete sociale), në kafene etj. Pastaj pesë minuta para gjumit ata iu bëjnë një kontroll të shpejtë portaleve, shohin se pozita e tyre “ideale” nuk gjendet aty dhe e mbyllin faqen. Apo aplikojnë qorrazi në dhjetëra vende pune të ndryshme dhe presin të marrin përgjigjje. Kalojnë disa ditë dhe përgjigjja nuk vjen. Të frustruar, gjatë komunikimit me miq ata tregojnë se si në Kosovë nuk ka punë, të gjithë njerëzit punësohen me të njofshëm dhe se si nuk ia vlenë të kërkosh punë.

Ky mentalitet, përpos që është shumë i gabuar, ia pamundëson gjetjen e punës shumicës së njërëzve. Procesi i gjetjes së punës nuk përfundon pas disa dështimeve. Ai vazhdon deri në gjetjen e punës. Ndalja e kërkimit të punës pas disa dështimeve garanton mosgjetjen e saj.

Kërkimi i punës kërkon determinim dhe vendosshmëri. Më heret ne kemi përmendur burimet e gjetjes së punës të cilat përdoren gjatë këtij procesi. Personi që kërkon punë duhet të jetë i rrethuar nga këto burime. Ai duhet të familjarizohet me to, të kontrollojë me kujdes për çdo shpallje të re që postohet, dhe të analizojë çdo shpallje me vëmendje. Komunikimi i shpeshtë me miqtë për këtë çështje gjithashtu mund të ndihmojë.

Në vazhdim do të flasim më në detaje për gjetjen e punës që juve ju përshtatet, mirëpo qëllimi i këtij shkrimi është që të ju bindë se kërkimi i punës është proces sistematik i cili mbaron me gjetjen e punës. Nëse angazhimi juaj ka cilësi të dobët, puna që do të gjeni sipas gjasave do të ketë cilësi të dobët, gjithashtu. Nëse ju ndaleni së kërkuari punë, ju i keni garantuar vetes mosgjetje të punës. E vetmja rrugë që ju siguron punë është kërkimi i vazhdueshëm i saj.